Korrigjimi i skoliozes
Diagnoza: Skoliozë e moderuar pediatrike
Mosha: 14 vjec
Pacientja u paraqit në klinikë me ekzaminim imazherik (grafi) ku ishte përcaktuar skoliozë e moderuar torako-lumbare në formë S. Pas matjes së këndit të devijimit u përcaktua një devijim 45° ne pjesën e sipërme dhe 35° në pjesën e poshtme. Matjet e tjera muskulare me anë të skoliometrit përcaktuan disbalancë muskulare në pjesën e shpinës 11° në pjesën e sipërme dhe 5° në pjesën e poshtme. Për sa i përket posturës u përcaktua humbje e lordozës cervikale në pjesën e qafës, humbje e lehtë e kifozës torakale, disnivel i lehtë i supeve dhe disnivel i pelvisit.
Pacientja ishte diagnostikuar me skoliozë që në moshën 10 vjecare ku këndi i devijimit ishte rreth 25° në pjesën e sipërme dhe rreth 17° në pjesën e poshtme. Për shkak të neglizhimit të trajtimit dhe zgjatjes së menjëhershme në pubertet, devijimi ka avancuar.
Protokolli i trajtimit u përcaktua tre seanca 60-minutëshe në javë me një ditë pushim ndërmjet seancave. Gjate një seance kombinohej terapia manuale për lirimin e muskulaturës së shkurtuar në anën e djathtë të pjesës së sipërme dhe në anën e majtë të pjesës së poshtme të shpinës me terapinë ushtrimore specifike sipas devijimit të pacientes duke ndjekur konceptin e Schroth për trajtimiin e skoliozës me ushtrime zgjatëse të dy anëve të shkurtuara të muskulaturës së shpinës dhe ushtrime forcuese për dy anët e tejzgjatura të muskulaturës. Protokolli i trajtimit përfshinte gjithashtu edhe ushtrime të korrigjimit postural dhe ushtrime të frymëmarrjes.